Banka e Shqipërisë ka propozuar disa ndryshime rregullatore për të rritur transparencën në tarifat e këmbimit valutor që lidhen me transaksionet me kartë.
Sipas draftit, ofruesit e shërbimeve të pagesave dhe operatorët e ATM-ve apo POS-eve do të duhet të shfaqin qartë përqindjen “mark-up”, që tregon diferencën mes kursit të aplikuar dhe kursit zyrtar të publikuar nga banka qendrore, përpara kryerjes së transaksionit.
Përdoruesit do të informohen paraprakisht edhe për shumën që paguajnë dhe atë që përfiton marrësi, ndërsa njoftimet elektronike për transaksionet do të ofrohen pa pagesë.
Rregullat synojnë gjithashtu transparencë më të madhe për transfertat online dhe kostot e këmbimit të monedhës.
Nisma vjen në një kohë kur tarifat e larta për tërheqjet në ATM, veçanërisht për kartëmbajtësit e huaj, kanë shkaktuar pakënaqësi dhe kanë tërhequr vëmendjen e Autoritetit të Konkurrencës.
Megjithatë, ekspertët e sektorit theksojnë se disa standarde transparence ekzistojnë tashmë, pasi operatorët ndërkombëtarë të kartave kërkojnë paraqitjen e qartë të komisioneve për klientët./Monitor