Qeveria shqiptare ka ndryshuar sërish projektligjin për sigurimin e detyrueshëm të banesave, duke zgjeruar skemën edhe për rrezikun e përmbytjeve, krahas tërmeteve.
Projektligji i ri synon të mbulojë humbjet financiare të qytetarëve nga dëmet në banesa dhe parashikon krijimin e një Fondi Kombëtar për Sigurimin e Detyrueshëm nga Tërmetet dhe Përmbytjet.
Zgjerimi i rreziqeve të mbuluara pritet të rrisë edhe koston e primit të sigurimit, krahasuar me modelin e mëparshëm.
Skema do të administrohet nga një person juridik publik, i organizuar si shoqëri aksionare, ndërsa metodologjia e primit do të bazohet në modele aktuariale të riskut.
Projektligji forcon mekanizmat detyrues, duke e lidhur sigurimin me aksesin në shërbime kadastrale, elektronike dhe ato të QKB-së.
Pa një kontratë sigurimi të detyrueshme, qytetarët dhe bizneset do të përjashtohen nga një sërë shërbimesh shtetërore.
Në thelb, nisma synon të rrisë mbrojtjen financiare ndaj fatkeqësive natyrore, por njëkohësisht shton barrën administrative dhe financiare për pronarët e banesave. /Monitor