Operatori i Blerjeve të Përqendruara (OBP) ka përfunduar ndërtimin e arkivës digjitale, një hap i rëndësishëm në kuadër të strategjisë trevjeçare për modernizimin e proceseve administrative dhe kalimin drejt qeverisjes pa letra.
Platforma synon të përmirësojë menaxhimin e dokumentacionit të prokurimit publik duke mundësuar ruajtjen, organizimin dhe aksesin elektronik në dosjet e tenderave ndër vite.
Projekti është zhvilluar plotësisht nga ekspertët e teknologjisë së informacionit të institucionit, pa përdorur burime të jashtme, duke dëshmuar kapacitetet e brendshme profesionale.
Digjitalizimi i dosjeve garanton ruajtje afatgjatë të dokumenteve, rrit transparencën dhe shkurton kohët administrative.
Ky proces pritet të reduktojë përdorimin e letrës dhe kostot operative, duke përmirësuar standardet e qeverisjes dhe menaxhimit institucional.
Me këtë iniciativë, OBP synon të forcojë rolin e tij në modernizimin e administratës publike dhe në avancimin e zgjidhjeve digjitale për prokurimet publike. /ATA