Dhoma Amerikane e Tregtisë (AmCham) ka ngritur shqetësime për funksionimin e platformës “e-Albania” dhe sistemeve digjitale qeveritare, duke paralajmëruar rreziqe për bizneset, sigurinë e të dhënave dhe stabilitetin ekonomik.
Sipas deklaratës, ndërprerjet e shërbimeve, vonesat dhe performanca e paqëndrueshme po ndikojnë drejtpërdrejt në aktivitetin normal të kompanive dhe aftësinë e tyre për të përmbushur detyrimet rregullatore.
AmCham thekson se mungesa e auditimeve të rregullta, standardeve të sigurisë dhe përditësimeve në përputhje me praktikat ndërkombëtare përbën një rrezik serioz për ekonominë dhe sigurinë kombëtare.
Organizata shpreh gjithashtu shqetësim për proceset e prokurimit në sektorin e teknologjisë së informacionit, duke nënvizuar nevojën për konkurrencë të ndershme dhe përdorim më efektiv të fondeve publike.
Për këtë arsye, i bëhet thirrje qeverisë të ndërmarrë masa të menjëhershme për të garantuar funksionim të qëndrueshëm dhe të besueshëm të shërbimeve kritike.
Ndër rekomandimet kryesore përfshihen auditime të pavarura të IT-së dhe sigurisë kibernetike, forcimi i kontrollit të aksesit, vendosja e standardeve minimale të shërbimit dhe përmirësimi i procedurave të prokurimit.
AmCham shprehet e gatshme të bashkëpunojë me institucionet duke ofruar ekspertizë dhe praktika ndërkombëtare për të rritur sigurinë, transparencën dhe eficiencën e sistemeve digjitale. /ATA