Sistemi bankar shqiptar vijon të shfaqë qëndrueshmëri dhe standarde të konsoliduara në administrimin e riskut, në një kohë kur ekonomia po jep sinjale zhvillimi dhe rritjeje të kërkesës.
Ekspertja e ekonomisë, Romina Radonshiqi, vlerëson se bizneset dhe familjet shqiptare kanë hyrë në një fazë më të kujdesshme dhe më të strukturuar të menaxhimit financiar, ndërsa bankat kanë forcuar mekanizmat e kontrollit dhe analizës për të ruajtur stabilitetin e sistemit.
Sipas saj, bizneset po tregojnë maturi më të madhe në administrimin e të ardhurave dhe orientimin e investimeve, ndërsa individët kanë reflektuar nga përvojat e viteve të kaluara duke treguar më shumë kujdes në marrjen e angazhimeve financiare.
“Ka një ndërgjegjësim më të madh për mënyrën se si menaxhohen të ardhurat dhe detyrimet.
Stabiliteti financiar sot është më i dukshëm si te bizneset, ashtu edhe te familjet”, u shpreh Radonshiqi.
Ekspertja thekson se bizneset reagojnë të parat ndaj ndryshimeve ekonomike, ndërsa rritja e sektorit të turizmit ka dhënë ndikim të drejtpërdrejtë në ekonominë vendase, veçanërisht në tregun e pasurive të paluajtshme.
Zgjerimi i aktivitetit turistik dhe rritja e kërkesës kanë nxitur shtimin e kredive hipotekore, të cilat po përdoren jo vetëm për strehim, por edhe si instrument financiar për investime dhe zhvillim biznesi.
“Nuk bëhet fjalë vetëm për blerje banesash për qëllime familjare, por edhe për investime që lidhen me aktivitetin ekonomik, sidomos në zona me potencial turistik”, theksoi ajo, duke shtuar se kjo prirje pasqyron një treg më dinamik dhe një qasje më të strukturuar ndaj financimit.
Sipas statistikave të Bankës së Shqipërisë, në fund të vitit 2025 totali i kredisë së dhënë nga bankat arriti në 9.4 miliardë euro, nga 8.3 miliardë euro që ishte një vit më parë.
Ndërkohë, raporti i kredive me probleme ra në nivelin më të ulët historik, 3.8%, duke u ulur me 0.37% në bazë vjetore — një tregues që konfirmon përmirësimin e cilësisë së portofolit të kredisë dhe stabilitetin e sektorit bankar në vend. /ATA