Projekti për ndërtimin e linjës hekurudhore që do të lidhë Shqipërinë me Kosovën po merr vëmendje të shtuar nga të dyja qeveritë, duke u konsideruar një ndër prioritetet strategjike të viteve të ardhshme.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, e përfshiu këtë nismë në programin qeverisës të mandatit të ri, duke paralajmëruar nisjen e linjës Gjakovë–Shkodër si pjesë e korridorit Prishtinë–Durrës.
Planet përputhen edhe me objektivat e palës shqiptare, ndërsa Hekurudha Shqiptare ka bërë me dije se ndërtimi real mund të nisë brenda 2–3 viteve të ardhshme, pas përfundimit të dokumentacionit teknik dhe procedurave të prokurimit ndërkombëtar.
Aktualisht, puna është përqendruar te modeli i financimit, i cili pritet të mbështetet nga një kombinim donatorësh ndërkombëtarë dhe kontributesh kombëtare nga të dy vendet.
Sipas studimit të fizibilitetit, kostoja totale e projektit përllogaritet në rreth 1.8 miliardë euro, ku pjesa më e madhe do të shkojë për ndërtimin, ndërsa fondet e tjera do të mbulojnë lejet, shpronësimet dhe shpenzime të ngjashme.
Linja prej 105.8 kilometrash do të përfshijë 7 stacione, 43 ura dhe 14 tunele me një gjatësi totale prej 35.3 kilometrash.
Projekti parashikohet të zgjasë rreth 12 vite nga faza e projektimit deri në operimin e plotë dhe pritet të ketë ndikim të rëndësishëm në rritjen e transportit të mallrave dhe lëvizjes së pasagjerëve.
Kjo hekurudhë shihet si një hap kyç drejt forcimit të lidhjeve ekonomike rajonale dhe përmirësimit të infrastrukturës ndërkufitare mes dy vendeve.