Migracioni neto në Shqipëria vijon të mbetet negativ përgjatë gjithë periudhës 2011–2025, me një përkeqësim të dukshëm pas pandemisë.
Sipas të dhënave zyrtare të INSTAT, nga 1 janari 2021 deri më 1 janar 2025 vendi ka pasur rreth 138 mijë largime më shumë se kthime, duke shënuar nivelet më të larta të dekadës së fundit.
Në vitin 2011, migracioni neto ishte -18,765 persona dhe mbeti në nivele të ngjashme deri në vitin 2015 (-20,600).
Gjatë viteve 2016–2018 pati një përmirësim të përkohshëm, me -9,473 persona në 2016 dhe rreth -15 mijë në 2017–2018, kryesisht për shkak të kthimit të azilkërkuesve nga Gjermania pas valës së vitit 2015.
Pas vitit 2019, trendi u përkeqësua ndjeshëm: -23,082 persona në 2019 dhe -16,684 në 2020, vit i ndikuar nga kufizimet e pandemisë që ngadalësuan përkohësisht lëvizjet ndërkombëtare.
Në periudhën pas pandemisë, emigracioni u përshpejtua: -32,853 persona në 2021, -32,497 në 2022 dhe kulmi në 2024 me -43,761 persona, i ndikuar edhe nga korrektimet e Censit 2023.
Në vitin 2025, megjithëse me rënie, migracioni neto mbeti i lartë, në -28,836 persona.
Të dhënat e Eurostat konfirmojnë këtë prirje: për periudhën 2021–2024, vendet e Bashkimi Evropian dhanë 284,585 leje qëndrimi për herë të parë për shtetas shqiptarë.
Vihet re një rritje e ndjeshme e lejeve të punës, që përbëjnë rreth një të tretën e totalit dhe janë dyfishuar krahasuar me periudhën para pandemisë.
Kjo ecuri tregon se pandemia nuk e ndaloi emigracionin, por përkundrazi e shtyu atë, ndërsa hapja e tregjeve europiane të punës dhe pritshmëritë për kushte më të mira ekonomike jashtë vendit kanë nxitur një valë të re largimesh. /Monitor