Deputetët e maxhorancës miratuan në komisionet parlamentare një nismë ligjore të propozuar nga deputeti socialist Erion Malaj, e cila parashikon heqjen e tenderave të infrastrukturës dixhitale nga Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit (AKSHI) dhe transferimin e tyre tek një shoqëri e re aksionare me pronësi mikse, publike dhe private.
Sipas draftit, kjo shoqëri do të ketë ekskluzivitetin e prokurimeve në fushën e teknologjisë së informacionit dhe do të zotërohet të paktën 51% nga shteti, ndërsa 49% e aksioneve mund të jenë në duar private.
Ndërkohë, AKSHI do të mbajë vetëm rolin e autoritetit përgjegjës për standardizimin, arkitekturën, sigurinë dhe mbikëqyrjen e sistemeve të qeverisjes elektronike.
Projektligji u kundërshtua nga opozita, e cila e lidhi nismën me hetimet e Prokuroria e Posaçme për një grup të strukturuar kriminal në krye të AKSHI-t, të akuzuar për kontrollin e tenderave me vlerë dhjetëra milionë euro.
Deputetja Jorida Tabaku kërkoi auditim të thelluar të mbi gjysmë miliardë euro prokurimeve dhe ngriti shqetësime për sigurinë e të dhënave sensitive në rast të kalimit të infrastrukturës kritike digjitale në menaxhim privat.
Sipas saj, kjo nismë krijon një precedent të rrezikshëm dhe bie ndesh me standardet e Bashkimit Europian për administrimin e infrastrukturave kritike. /Kapitali