Dy procedura të rëndësishme prokurimi në fushën e teknologjisë së informacionit, të lidhura me sistemin e fiskalizimit dhe me ofrimin e internetit për administratën publike, po përballen me zvarritje të përsëritura për shkak të ankimimeve në Komisioni i Prokurimit Publik (KPP).
Procedura me objekt “Mirëmbajtje e Modulit të Menaxhimit të Kontrollit të Faturimit” për Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve, me fond limit 770 milionë lekë (rreth 7.7 milionë euro), vijon të mbetet e bllokuar nga ankimimet e njëpasnjëshme.
Procedura zhvillohet nga Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit (AKSHI), në cilësinë e autoritetit kontraktor për llogari të Tatimeve.
Më 24 dhe 25 shkurt, KPP vendosi sërish të mos pranojë ankimimet e dy operatorëve ekonomikë, duke theksuar se në fazat e mëparshme ishin kryer rishikimet e nevojshme në dokumentet standarde, në përputhje me legjislacionin për prokurimet publike.
Në mes të shkurtit, Komisioni hoqi pezullimin e procedurës, duke i hapur rrugë vijimit të saj, pasi konstatoi se autoriteti kontraktor kishte reflektuar kërkesat e mëhershme të KPP-së.
Megjithatë, seria e ankesave ka penguar finalizimin normal të tenderit.
Një trajektore të ngjashme ka ndjekur edhe tenderi me objekt ofrimin e shërbimit të internetit dhe intranetit për institucionet e administratës publike, me fond limit 486 milionë lekë (rreth 4.8 milionë euro).
Edhe kjo procedurë është pezulluar dhe rihapur disa herë, duke kaluar nga një fazë në tjetrën e më pas duke u ankimuar sërish.
Edhe pse KPP i dha dritën jeshile pak javë më parë, procedura është rikthyer sërish në shqyrtim pas ankimimeve të reja.
Tenderët që lidhen me sistemet IT në vend kanë qenë shpesh objekt ankimimesh pranë KPP-së, duke krijuar rrezik për ndërprerje apo vonesa në ofrimin e shërbimeve publike.
Një rast i tillë ishte sistemi “Self Care” i Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve, i cili shkaktoi ndërprerje dhe paqartësi për disa javë.
Kjo ndodhi në një periudhë kur qeveria kërkoi që institucionet, për shpenzimet e investimeve, të merrnin konfirmim nga Thesari i Shtetit.
Në të njëjtën kohë, edhe sistemi AFMIS i Ministrisë së Financave nuk funksiononte, ndërsa procedura për kontratën përkatëse kishte qenë më herët e ankimuar, përpara se të merrte miratimin për vijim.
Zvarritjet e vazhdueshme në tenderët strategjikë të teknologjisë së informacionit po ngrenë pikëpyetje mbi stabilitetin dhe vazhdimësinë e shërbimeve digjitale në administratën publike. /Monitor