Rritja e përdorimit të automjeteve elektrike dhe hibride në Shqipëri po krijon nevojën për një treg të mirëstrukturuar të karikimit, që t’i përgjigjet kërkesës aktuale dhe zhvillimit të ardhshëm.
Në një raport të publikuar më 5 shkurt, Komisioni Ekonomik i Kombeve të Bashkuara për Evropën (UNECE) e cilëson këtë një hap kyç për vendin dhe rekomandon masa konkrete për përdorimin më eficient të energjisë.
Sipas raportit, tranzicioni drejt mobilitetit elektrik nuk është vetëm çështje teknologjie, por edhe një provë për koordinimin institucional dhe qeverisjen.
Zhvillimi i tregut të karikimit varet nga bashkëpunimi mes sektorit të energjisë dhe atij të transportit, si dhe nga qartësia e roleve dhe rregullave të tregut.
Ekspertët sugjerojnë disa modele organizimi, duke përmendur sistemin e centralizuar MOBI.E në Portugali dhe modelet e liberalizuara në Gjermani e Britani, ku operatorët privatë konkurrojnë nën mbikëqyrje rregullatore.
Një model hibrid me operatorë të licencuar mund të ofrojë fleksibilitet dhe transparencë njëkohësisht.
Raporti ngre edhe çështjen e mungesës së një autoriteti të qartë për infrastrukturën e karikimit, ndonëse Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë dhe Enti Rregullator i Energjisë kanë përgjegjësi për politikat dhe licencat.
Po ashtu, mungon një mekanizëm kombëtar për aksesin në të dhëna, siç kërkohet nga rregullorja evropiane Alternative Fuels Infrastructure Regulation (AFIR).
UNECE thekson se Shqipëria ka një mundësi të rëndësishme për të shfrytëzuar energjinë hidrike dhe për të avancuar mobilitetin elektrik, por suksesi do të varet nga qartësia institucionale, harmonizimi me standardet e BE-së dhe bashkëpunimi ndërsektorial.
Një qasje e balancuar dhe transparente mund të sjellë përfitime ekonomike, ulje të ndotjes dhe rritje të sigurisë energjetike. /Monitor