SPAK dhe Policia e Shtetit kanë ndërmarrë një operacion të gjerë kundër trafikut të drogës dhe pastrimit të parave, duke lëshuar 20 masa sigurie ndaj personave të dyshuar si pjesë e një grupi të strukturuar kriminal.
Në qendër të hetimeve ndodhet biznesmeni Artur Shehu, për të cilin është caktuar masa e sigurisë “arrest me burg”, ndërsa rezulton jashtë vendit.
Sipas hetimeve, Shehu dyshohet për përfshirje në skema të pastrimit të parave që lidhen me aktivitetin e trafikantëve të drogës.
Në të njëjtën çështje është shpallur në kërkim edhe biznesmeni Ilir Shtufi, ndërsa në pranga ka rënë Orest Sota.
Emri i Artur Shehut është bërë i njohur së fundmi edhe për shkak të pronave që zotëron në zonën e Zvërnecit, ku është planifikuar ndërtimi i një resorti luksoz që ka shkaktuar debat të fortë publik dhe protesta nga ambientalistët.
Operacioni i SPAK pritet të hedhë më shumë dritë mbi lidhjet e dyshuara mes aktiviteteve kriminale dhe investimeve të mëdha në pasuri të paluajtshme.