Pronat e sekuestruara dhe të konfiskuara në të gjithë vendin janë pasqyruar në dy katalogë të rinj të përditësuar, me një vlerë totale mbi 2.4 miliardë lekë.
Agjencia e Administrimit të Pasurive të Sekuestruara dhe të Konfiskuara (AAPSK) bëri të ditur se katalogët reflektojnë të gjitha ndryshimet dhe lëvizjet e ndodhura gjatë vitit 2025 në administrimin e këtyre pasurive.
Sipas të dhënave zyrtare, vlera e pronave të sekuestruara arrin në rreth 2.4 miliardë lekë, ndërsa ajo e pronave të konfiskuara në 140 milionë lekë, shifra që nuk përfaqësojnë domosdoshmërisht çmimet aktuale të tregut.
Publikimi synon rritjen e transparencës, forcimin e llogaridhënies dhe garantimin e aksesit të hapur në informacion për publikun dhe institucionet.
Një pjesë e këtyre pasurive jepet me qira nën administrimin e shtetit.
Vetëm gjatë vitit të kaluar, këto prona kanë gjeneruar rreth 200 milionë lekë të ardhura për buxhetin e shtetit. /Euronews