Shoqata Shqiptare e Bankave ka kundërshtuar propozimin e qeverisë për të vendosur një limit prej 500 mijë lekësh për pagesat cash të individëve, duke e konsideruar shumë të lartë dhe joefektiv në luftën kundër informalitetit.
Sekretari Spiro Brumbulli tha se vendet e rajonit aplikojnë kufij shumë më të ulët, rreth 500 euro, si për bizneset edhe për individët, dhe propozon që limiti në Shqipëri të jetë 50–60 mijë lekë.
Ai kritikoi mospërputhjen mes kufirit të lartë për individët dhe kufirit 100 mijë lekë për bizneset, duke theksuar se realiteti ekonomik i vendit nuk e justifikon një prag kaq të madh.
Në paketën fiskale, qeveria propozon gjithashtu uljen e limitit të pagesave cash për bizneset nga 150 mijë në 100 mijë lekë dhe detyrimin e shumë bizneseve për t’u pajisur me terminale POS deri në vitin 2026.
Për të lehtësuar kostot, Banka e Shqipërisë dhe aktorët financiarë po ofrojnë masa mbështetëse, përfshirë terminale POS falas për 12 muaj dhe ulje tarifash bankare.
Sipas Ministrisë së Financave, këto politika synojnë rritjen e përdorimit të pagesave elektronike, formalizimin e ekonomisë dhe reduktimin e evazionit fiskal. /Revista Monitor