Gjykata Kushtetuese vendosi këtë të premte heqjen e pezullimit nga detyra të Belinda Ballukut, duke e rikthyer atë si zv/kryeministre dhe ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë.
Vendimi u mor pas një mbledhjeje tre-orëshe dhe me shumicë votash, duke pezulluar efektet e vendimeve gjyqësore nr. 118 dhe 120 të GJKKO-së.
Kushtetuesja vendosi gjithashtu kalimin e çështjes për shqyrtim në seancë plenare publike për shkak të interesit të lartë publik.
Në shqyrtimin në themel, do të thirren si subjekte të interesuara SPAK, GJKKO-ja e Shkallës së Parë, Kuvendi dhe Presidenti i Republikës.
Gjykata argumenton se pezullimi i detyrës cenon garancinë e imunitetit të anëtarëve të Këshillit të Ministrave dhe parimin e ndarjes së pushteteve.
Masa e pezullimit do të mbetet e pezulluar deri në përfundimin e gjykimit të çështjes nga Kushtetuesja. Vendimi do të publikohet në Fletoren Zyrtare.