Kuvendi ka miratuar projektligjin “Për marrëveshjen e Paqes Fiskale” me 75 vota pro, pavarësisht kundërshtimeve të forta nga BE, FMN dhe Dhoma Amerikane e Tregtisë.
Institucionet ndërkombëtare paralajmëruan se kjo nismë mund të dëmtojë disiplinën fiskale, të krijojë pabarazi mes bizneseve dhe të nxisë pritshmëri për falje të ardhshme tatimore.
AmCham theksoi rreziqet për konkurrencën e ndershme, mundësinë për legalizimin e kapitalit të dyshimtë dhe uljen e cilësisë së administrimit tatimor.
Mazhoranca e mbrojti projektligjin duke e cilësuar si një mjet për normalizimin e marrëdhënieve mes bizneseve dhe administratës tatimore.
Ligji parashikon një marrëveshje vjetore me bazë tatimi të rritur me 18% dhe aplikimin e një tatimi 5% për korrigjimet vullnetare pa gjoba apo kamatëvonesa.
Miratimi i tij u bë në kuadër të paketës më të gjerë fiskale që përfshiu edhe buxhetin e vitit 2026. /Monitor