Tregu i sigurimeve në Shqipëri po shkon drejt një rritjeje dyshifrore në vitin 2025, me primet e shkruara bruto që arritën në 25.2 miliardë lekë për periudhën janar–nëntor, +10.2% në bazë vjetore, sipas Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare.
Rritja është nxitur kryesisht nga sigurimi i detyrueshëm motorik, i cili u zgjerua me 13.5% dhe zë mbi gjysmën e tregut.
Zbatimi i sistemit të ri të përcaktimit të primeve në 2025 ka rritur çmimet mesatare për përdoruesit, përmes faktorëve të rinj të riskut.
Klasat e tjera shfaqin ecuri më të dobët, përjashtuar Kasko-n që u rrit me 10.5%, ndërsa sigurimi nga zjarri mbetet me rritje modeste.
Sigurimet e Jetës, ndonëse treg i vogël, u rritën me 13.4% dhe mbështeten kryesisht te sigurimi i jetës së debitorit.
Ky produkt lidhet ngushtë me kreditimin bankar, veçanërisht për blerjen e pasurive të paluajtshme. /Monitor