Anketa e Emigracionit e realizuar nga INSTAT tregon se rreth 108 mijë persona janë rikthyer në Shqipëri gjatë periudhës 2012–2024, me 45% të tyre pas pandemisë.
Megjithëse kthimet janë rritur, kushtet e riintegrimit janë përkeqësuar, veçanërisht për ata që janë rikthyer së fundmi.
Rreth 67% e emigrantëve janë kthyer para kohe dhe jo me dëshirë, kryesisht për shkak të humbjes së punës, mungesës së mundësive apo problemeve administrative në vendet pritëse.
Vetëm 46% e atyre që u kthyen në periudhën 2020–2024 janë të punësuar, niveli më i ulët krahasuar me periudhat e mëparshme.
Si pasojë e vështirësive në punësim dhe shërbime, 13% e emigrantëve të kthyer planifikojnë të riemigrojnë brenda vitit.
Në kontrast, vende të tjera të Ballkanit si Rumania, Bullgaria dhe Serbia po përjetojnë kthime që tejkalojnë largimet. /Monitor