Sipas të dhënave të publikuara nga INSTAT, inflacioni në muajin dhjetor 2025 arriti në 2,3% në terma vjetorë, nga 2,1% një vit më parë, ndërsa ndryshimi mujor ishte 0,7%.
Ndryshe nga vitet e kaluara, presioni kryesor mbi inflacionin nuk erdhi nga ushqimet e festave, por nga rritja e çmimeve të qirave dhe kostove të banesës.
Grupi “Qira, ujë, lëndë djegëse dhe energji” dha ndikimin më të madh në inflacionin vjetor me +0,96 pikë përqindje, i ndjekur nga “Ushqime dhe pije joalkoolike” me +0,56 pikë përqindje.
Rritje të ndjeshme vjetore u regjistruan edhe në “Argëtim dhe kulturë” (3,6%) dhe “Hotele, kafene dhe restorante” (2,6%).
Brenda ushqimeve, çmimet e qumështit, djathit dhe vezëve u rritën me 4,4%, ndërsa peshku dhe vajrat me 3,8%.
Mesatarja vjetore e inflacionit për vitin 2025 mbeti në nivelin 2,2%, e njëjtë me vitin paraardhës.