Raporti i kredive me probleme shënoi një rënie të lehtë në nëntor 2025, duke zbritur në 4.19% nga 4.33% në tetor, sipas të dhënave të Banka e Shqipërisë.
Edhe në bazë vjetore, treguesi paraqitet më i ulët krahasuar me nëntorin 2024, kur ishte 4.48%, megjithëse gjatë vitit 2025 ai ka shfaqur kryesisht stanjacion me luhatje të lehta rritëse në gjysmën e dytë të vitit.
Në vlerë absolute, stoku i kredive me probleme vlerësohet rreth 38.8 miliardë lekë, më pak se një vit më parë.
Ndërkohë, portofoli total i kredisë për ekonominë arriti në 925.2 miliardë lekë në fund të nëntorit, me rritje vjetore 12.2%, i nxitur kryesisht nga kreditë për individët.
Masat kufizuese të vendosura për kreditë për banesa ende nuk kanë sjellë një frenim domethënës të huadhënies.
Banka e Shqipërisë thekson nevojën për kujdes më të madh në standardet e kreditimit, për të shmangur rritjen e riskut në kushtet e zgjerimit të shpejtë të kredisë. /Monitor