Më 29 prill të vitit të kaluar, Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit (AKSHI) shpalli një tender prej 7.7 milionë eurosh për mirëmbajtjen e sistemit të fiskalizimit të Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve.
Vetëm 10 ditë më pas, tenderi u ankimua nga kompania CSP shpk në Komisioni i Prokurimit Publik (KPP), e cila kundërshtoi kriteret e vendosura.
KPP pranoi pjesërisht ankesën dhe urdhëroi modifikimin e dokumentacionit, por procedura u mbajt e ngrirë për rreth pesë muaj nga Tatimet, pa asnjë shpjegim zyrtar.
Edhe pas zhbllokimit të përkohshëm në dhjetor, tenderi u bllokua sërish pas një ankese tjetër, këtë herë nga kompania Datalog.
Ankesa pretendonte se shtojcat e reja të dokumenteve paracaktonin fituesin, duke kufizuar garën vetëm në dy operatorë ekonomikë, përmes një kriteri që kërkonte autorizim specifik nga Oracle për Shqipërinë.
Kjo skemë përjashtonte automatikisht kompani të tjera, përfshirë operatorë ndërkombëtarë.
Si pasojë e këtyre bllokimeve të përsëritura, tenderi nuk është zhvilluar ende, gati një vit pas shpalljes.
Prej qershorit të vitit të kaluar, sistemi i fiskalizimit ka mbetur praktikisht pa mirëmbajtje.
Kjo situatë ka sjellë probleme serioze në funksionimin e sistemit dhe vështirësi të mëdha për bizneset në lëshimin e faturave, duke krijuar kosto reale për ekonominë dhe qytetarët.