Kuvendi i Shqipërisë zhvilloi një seancë dëgjimore me kandidatët për anëtarë të Këshillit Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë, të cilët paraqitën prioritetet dhe vizionet e tyre për sistemin bankar.
Erjona Bejleri theksoi rëndësinë e qëndrueshmërisë së modeleve të biznesit të bankave dhe forcimin e qeverisjes korporative, ndërsa Arben Zibri u fokusua te kuadri makroprudencial dhe rritja e kreditimit për ekonominë, sidomos për bizneset e vogla dhe të mesme.
Matilda Shehu dhe Saimir Muçmata vendosën theksin te mbrojtja e konsumatorit financiar, duke propozuar mekanizma si ombudsmani financiar dhe struktura për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve.
Eni Xheko dhe Fatmira Kola nënvizuan nevojën për pavarësi institucionale, transparencë dhe rritje të besimit publik, ndërsa Emis Cerava kërkoi nxitjen e kreditimit në sektorë strategjikë si bujqësia dhe turizmi.
Aleksandër Çavo propozoi forcimin e kuadrit ligjor dhe rregullimin e përdorimit të inteligjencës artificiale në bankë, ndërsa Adela Karapici sugjeroi futjen e edukimit financiar në sistemin arsimor.
Procesi vjen pas përfundimit të mandatit të gjashtë anëtarëve të këshillit në fund të vitit 2025, ku tre emra do të propozohen nga Kuvendi dhe tre nga Këshilli i Ministrave. /Monitor