Gjykata e Durrësit ka vlerësuar të ligjshëm arrestimin në flagrancë të Elton Varakut, ish-drejtor i Autoriteti Kombëtar i Ushqimit (AKU), dhe ka caktuar ndaj tij masën e sigurisë “arrest me burg”.
Sipas prokurorisë, ai akuzohet për “shkatërrim prone” dhe “kanosje”, pas një incidenti të ndodhur në ambientet e institucionit që më parë drejtonte.
Në seancë, Varaku ka kërkuar falje, ndërsa mbrojtja ka argumentuar se reagimi i tij ka qenë i çastit.
Ngjarja ka ndodhur të premten e kaluar, kur ish-drejtori është kthyer në zyrë dhe, sipas hetimeve paraprake, ka kryer veprime të dhunshme duke dëmtuar kompjuterë dhe pajisje të tjera pune, si dhe duke përdorur gjuhë kërcënuese ndaj punonjësve.
Pas njoftimit të bërë nga stafi, policia ka ndërhyrë dhe e ka arrestuar në flagrancë në ambientet e institucionit.
Burime bëjnë me dije se gjatë periudhës së fundit, 41-vjeçari nga Shijaku, i cili ka mbajtur poste të ndryshme drejtuese në Durrës gjatë dekadës së fundit, shfaqte probleme të theksuara në sjellje dhe dyshohet për çrregullime të shëndetit mendor.